Kanë nisur tashmë të shfaqen komplikacionet e para të shkaktuara nga virozat e stinës dhe gjendjet gripale. Dhjetëra pacientë paraqiten çdo ditë në urgjencat spitalore, si dhe qendrat e kujdesit shëndetësor për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore, kryesisht për ndërlikime të shkaktuara nga virozat e stinës.
Ky fluks pritet të shtohet edhe më shumë gjatë javëve në vijim, ku rënia e temperaturave do të jetë edhe më e theksuar. Për të shmangur ndërlikimet dhe prekjen nga gripi, bluzat e bardha të shëndetit publik këshillojnë që të bëhet vaksina e gripit, veçanërisht tek kategoritë që janë edhe më të rrezikuarat, siç janë: fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, të sëmurët kronike, të moshuarit, etj. Aktualisht ka nisur edhe fushata e vaksinimit të gripit, e cila është shpërndarë në të gjitha qendrat mjekësore, teksa të parët që po vaksinohen janë punonjësit e shëndetit. Sikundër u theksua më lart, një ndër grupet e rriskuara nga pasojat e rënda të gripit janë edhe gratë shtatzana. Nëpërmjet një udhëzuesi këshillues, ekspertja infeksioniste e Institutit të Shëndetit Publik, Dr.Eugena Erindi, tregon se sa i rëndësishëm është vaksinimi i gripit tek gratë shtatzëna dhe pse nuk duhet neglizhuar marrja e kësaj vaksine gjatë kësaj periudhe. Sa rrezikojnë gratë shtatzëna nga gripi? Gratë shtatzëna që preken nga gripi mund të sëmuren shumë më rëndë se sa personat e tjerë. Studimet kanë treguar se gratë shtatzëna me një sëmundje respiratore nga gripi, kryejnë më shumë vizita mjekësore, si dhe bëjnë më shumë shtrime dhe qëndrime të gjata në spital. A duhet të imunizohen gratë shtatzëna ndaj gripit sezonal? Po. Vaksinimi kundër gripit është një element thelbësor, i kujdesit prenatal sepse gratë shtatzëna janë më tepër të rrezikuara për të kaluar një sëmundje të rëndë dhe vdekje nga gripi. Raportet dhe studimet e kryera tregojnë se shtatzënia mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve të rënda mjekësore të gripit. Përveç kësaj, mbrojtja e nënës nga vaksina, është e vetmja strategji efektive për të sapolindurit, sepse përdorimi i vaksinës rekomandohet vetëm në rastet kur foshnjat janë mbi moshën 6 muajsh. Gjatë cilit tremujor mund të merret vaksina? Vaksina kundër gripit mund të merret në çdo kohë gjatë periudhës së shtatzanisë. Mjekët këshillojnë gratë shtatzëna që të marrin sa më shpejt që të jetë e mundur këtë vaksinë, duke u këshilluar edhe me gjinekologët e tyre, ose ofruesit e tjerë të kujdesit shëndetësor rreth imunizimit. Cilën vaksinë të gripit duhet të marrin gratë shtatzëna? Gratë shtatzana duhet që të marrin vaksinën e inaktivuar të gripit, e cila injektohet në rrugët intrasmukulare, në krah. Është mjeku specialist ai që këshillon në lidhje me përdorimin e saj.
Çfarë përmban vaksina kundër gripit?
Vaksina kundër gripit sezonal përmban pjesëza të viruseve të gripit që parashikohet që të qarkullojnë gjatë sezonit të gripit. Këto grimca, janë ato të cilat sistemi i imunitar i trupit tuaj i përdor për të prodhuar kundërtrupat e nevojshëm për t’ju mbrojtur ju dhe fëmijën tuaj nga gripi. Vaksina e gripit është një mënyrë efektive dhe e sigurt për t’ju mbrojtur ju dhe fetusin tuaj nga sëmundjet e rënda dhe komplikacionet e gripit. Vaksina e gripit e marrë gjatë shtatzanisë ndihmon në mbrojtjen e foshnjave më të vogla se sa gjashtë muajsh, kategori e cila nuk mund të kryejë vaksinën. Fëmijët nën gjashtë muajsh nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të shtuar kundërtrupat ndaj gripit, vaksina kundër gripit është e aplikuar në miliona gra shtatzëna përgjatë këtyre viteve. A shkakton grip marrja e vaksinës? Jo, ju nuk do të merrni grip nga kryerja e vaksinës. Por, duhet të dini edhe faktin se marrja e kësaj vaksine nuk ju mbron nga të gjitha llojet e viruseve që mund të ndodhen në qarkullim. Vaksina e gripit nuk të mbron nga rrufa, apo infeksionet e tjera respiratore të zakonshme. Pra ju mund të sëmureni vetëm nga këto infeksione. Po në rastet kur ushqehet foshnja me gji, a duhet marrë vaksina? Po vaksina është e sigurt edhe në këto raste, dhe rekomandohet që të bëhet. Kundërtrupat që krijohen pas vaksinimit mund të kalojnë tek fëmija përmes qumështit të gjirit, duke reduktuar mundësinë e fëmijës për t’u sëmurur nga gripi. Marrja e vaksinës së gripit gjatë shtatzënisë është hapi më i rëndësishëm për të mbrojtur veten dhe foshnjën tuaj kundër gripit. Pas lindjes ju mund të mbroni foshnjën tuaj duke e ushqyer me gji dhe duke u siguruar që edhe anëtarët e tjerë të kujdesen kundër gripit. Kur duhet të kërkohet ndihmë e specializuar mjekësore? Megjithëse vaksinimi ndaj gripit është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin, nëse mendoni se keni shenja të gripit, të tilla si: temperaturë, ethe, dhimbje, muskujsh, duhet të kontakton menjëherë me gjinekologun, ose ofruesit e tjerë të shërbimeve shëndetësore. Ndërsa në rastet kur mund të keni shenja të rënda, siç është temperatura më e lartë se sa 38 gradë celsius, e shoqëruar me vështirësi në frymëmarrje, apo marramendje kur jeni në këmbë, ose dhimbje në gjoks, duhet të kërkoni kujdes të menjëhershëm shëndetësor. Masa të tjera që mund të merrni është edhe kujdesi për higjienën. Ashtu si vaksinimi, ju mund të ulni mundësinë e infektimit nga gripi duke larë sa më shpesh duart, sidomos pas teshtitjes, ose kollitjes. Kjo pasi ju mund tua ngjisni gripin të tjerëve edhe pa pasur asnjë shenjë klinike, prandaj lani sa më shpesh që të jetë e mundur duart. Kur duhet të kryhet vaksinimi Vaksinimi kundër gripit duhet të kryhet përpara, në fillim, dhe gjatë sezonit të gripit. Për sa kohë që viruset janë në qarkullim, vaksinimi duhet të bëhet përgjatë gjithë sezonit, madje edhe në janar, apo më vonë. Kundërtrupat mbrojtëse zhvillohen zakonisht dy javë pas vaksinimit, prandaj për t’u mbrojtur kundër virusit të gripit, është mirë që të vaksinoheni në kohën e duhur. Si vepron vaksina Vaksina e gripit sezonal mbron ndaj viruseve të cilët mendohet se do të qarkullojnë kryesisht nga tetori, deri në maj. Kundërtrupat fillojnë të zhvillohen në trup, dy javë pasi është kryer vaksina. Këto kundërtrupa mbrojnë ndaj infeksioneve të shkaktuara nga viruset e gripit, të cilët janë të ngjashëm, ose të njëjtë, me ato viruse me të cilët është prodhuar vaksina.
loading...
0 Comments
Leave a Reply. |
Portal i pavarur në gjuhën Shqipe, i përfshinë të gjitha sferat e jetës.
|